Drecun: Sërbët në K&M pa rolin aktiv të KFOR, nuk kanë mbrojtje
Kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Çështje të Brendshme në Kuvendin e Sërbisë Millovan Drecun tha se rastet e shembjeve të objekteve në liqenin e Ujmanit, çështja e urës mbi Ibër, por dhe veprimet e Prishtinës janë pjesë e presionit të gjerë ndaj komunitetit sërb në Kosovë.
“Të gjitha këto raste, ura mbi Ibër, mbrojtja e Manastirit të Deçanit, rrahja e Nenad Rashkoviqit dhe tani shembja e objekteve, përfaqësojnë veçse një terror të vazhdueshëm institucional e fizik që ndërmarrin institucionet e përkohshme të vetqeverisjes ndaj popullit sërb”, tha Drecun për RTS.
Ai beson se sërbët janë qytetarë të dorës së dytë dhe se ligji ndaj tyre ndërmerret selektivisht.
"Kur flasim për terror institucional, mendoj pikësëpari në atë që sërbët janë të reduktuar në qytetarë të dorës së dytë, se nuk mund të ushtrojnë madje as të drejtat e tyre bazike humane para institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes as sipas ligjeve në fuqi në Kosovë e Metohi", tha Drecun.
Sipas fjalëve të tij, rasti i shembjes në Ujman dhe ajo në liqenin Radoniqit tregojnë dallim në sjelljen ndaj pronarëve shqiptarë e sërbë.
"Vetëm krahasojeni këtë shembje në brigjet e liqenit Radoniqit dhe atë të në Ujman. Aty në liqenin Radoniqit, pronarët janë shqiptarë. Aty u respektuan të gjitha procedurat e përcaktuara me ligj", tha Drecun.
Ky i fundit shton se në Ujman, siç pretendon, shembja ndërmerret pa përmbushjen e të gjitha procedurave që do t'u lejonin sërbëve të përdornin mjete ligjore.
"Ju tani keni një shembje ilegale, të paligjshme në kuptimin e asaj se nuk u respektuan të gjitha instancat gjyqësore për t'u lejuar sërbëve apelimin", tha Drecun.
Duke folur për situatën më të gjerë të sërbëve në Kosovë, ai tha se në pesë vitet e fundit një numër i konsiderueshëm sërbësh braktisën shtëpitë e tyre.
Duke folur për urën mbi Ibër, Drecun tha se është e rëndësishme që ajo të mbetet nën kontrollin e KFOR dhe jo për trafik.
Ai kujtoi konfliktet e mëparshme dhe tentativat për inkursione masive përmes urës duke bërë të ditur se frika ende egziston mes sërbëve.
"Aty mund të shkohet përherë deri në një lloj tentative të inkursioneve masive që sërbët nga pjesa veriore e Mitrovicës t’i dëbojnë apo t'i detyrojnë tek ajo çka ata tani tentojnë t’a bëjnë me sforcim dhe që është bashkimi i këtyre dy komunave", tha Drecun.
Ky i fundit vuri në dukje se për funksionim të trafikut, tashmë egzistojnë ura të tjera ndaj dhe nuk shikohet nevoja e çeljes së një tjetër kalimi përmes Ibrit.
"Përse është e nevojshme që veç atyre urave, që tani të ketë dhe një urë tjetër që kalon praktikisht në rrugën qëndrore përmes Mitrovicës së veriut? Epo, bëni ndonjë ekozonë, ndonjë ekooaz. Le të ketë gjelbërim, le të kalojnë vetëm këmbësorët aty e të tjerët”, pyeti Drecun.
Pyetjes nëse NATO mund të ndalojë procesin e çeljes së urës, Drecun u përgjigj se "mund dhe duhet".
Ai spegoi se e konsideron problematik vendimin për transferimin gradual të një pjese të juridiksionit të KFOR tek e ashtuquajtura Polici Kosovare.
"Ai vlerësim bazohet në dy fakte të supozuara. Së pari, se gjendja e sigurisë në Kosovë e Metohi është stabile. Si mund të jetë stabile nëse keni terror të përditshëm ndaj sërbëve, sidomos në veri të Kosovës, keni largim të tyre", theksoi Drecun.
Sipas fjalëve të tij, një problem më shumë paraqet vlerësimi se institucionet e sigurisë kosovare, janë më të afta të marrin pjesë të detyrave.
“Mendoj se bëhet fjalë për një plan afatgjatë për të cilin është dakordësuar dhe me Prishtinën, rreth asaj që të ndërmerret rikonfigurimi i mandatit të KFOR i cili buron nga Rezoluta 1244 dhe që pa miratimin e Këshillit të Sigurimit, gradualisht transferohet një pjesë e kompetencave të KFOR, tek të ashtuquajturat institucione të sigurisë kosovare”, theksoi Drecun.
Ai kujtoi se, sipas Rezolutës 1244, detyra themelore e KFOR është të sigurojë mjedis të sigurt për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.
"E dini, cili është mandati i KFOR? Të sigurojë mjedis të sigurt për njerëzit që jetojnë në Kosovë e Metohi. Kush është i kërcënuar në mjedis të sigurt? Shqiptarët? Epo, jo, janë sërbët e kërcënuar dhe ata duhet të kujdesen kryesisht për sigurinë", tha Drecun.
Ai si shembull përmendi rastin e rrahjes së Rashkoviqit dhe kritikoi qëndrimin se bëhet fjalë vetëm për zbatim të ligjit.
"KFOR thotë: 'Nuk është kompetenca jonë, ky është zbatimi i ligjit'. Dhe ky nuk është zbati ligji. Ky është terrori që Prishtina kryen qëllimshëm ndaj sërbëve. Kur shikoni të gjitha gjërat e tjera, atëherë shikoni se në fakt KFOR këto vitet e fundit veçanërisht, është shndërruar në mekanizëm për krijimin e mjedisit të sigurt për njerëzit që jetojnë në Kosovë e Metohi, kryesisht popullin sërb, sepse ai është i kërcënuar, sesa janë shndërruar në mekanizëm ushtarak për të mbrojtur shtetin fals të Kosovës dhe ky është problemi më i madh", tha Drecun.
Ky i fundit konkludoi se sërbët pa veprimin aktiv të KFOR, nuk kanë mbrojtje adekuate.
"Në parim, pa sjelljen aktive të KFOR veçanërisht në përputhje me Rezolutën 1244, sërbët praktikisht nuk kanë mbrojtje sepse diskriminohen para institucioneve", tha Drecun.
Pyetjes se kush do të garantojë sigurinë e sërbëve nëse KFOR vazhdon të pakësojë praninë e tij, Drecun tha se KFOR është praktikisht e vetmja forcë me mandat për të garantuar sigurinë.
"KFOR është në fakt e vetmja forcë që duhet të garantojë sigurinë", nënvizoi ai.
Ai vuri në dukje kontradiktën në mënyrën se si KFOR definon rolin e vet.
“Kur bëhet fjalë për terrorizimin e sërbëve në veri, KFOR thotë-‘Ne jemi vetëm hallka e tretë në atë zinxhir. Dhe hallka e parë është Shërbimi Policor Kosovar i cili në fakt kërcënon e terrorizon sërbët’, vlerëson Drecun.
Sipas fjalëve të tij, është e nevojshme që KFOR të zbatojë vazhdimisht mandatin e vet.
“Kur e definon kështu, jemi të parët, ndonjëherë jemi forca e tretë, atëherë të ngelet hapësira për manipulim, kështu që vetë do të gjykosh nëse do t’i mbrosh ndonjëherë sërbët apo jo”, tha Drecun.
Ky i fundit tha se ndaj presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq i përcolli letër sekretarit të Përgjithshëm të NATO Mark Rute dhe shprehu bindjen se prej tyre varet më shumë.
Njëkohësisht, shprehu shqetësim për reduktimin afatgjatë të kompetencave të KFOR.
“Por unë kam frikë nga procesi afatgjatë i reduktimit të përgjegjësive të KFOR. Ky i fundit nuk do të braktisë Kosovën, por do të zvogëlojë përgjegjësitë e tij dhe do t'i transferojë tek ato institucionet", shpreh bindjen Drecun.
Si mundësi veçanërisht të rrezikshme ai përmendi vendosjen e përhershme të pjestarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri.
"Në fazën e dytë, kam frikë se pjestarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të lejohen të vendosen përgjithmonë në veri dhe ky do të ishte rrumbullakëzim i plotë i asaj që thotë Kurti për kufijtë e tyre", theksoi Drecun.
0 komentet