Drecun: Situata e sigurisë është shqetësuese, shqiptarët do ta drejtojnë zemërimin ndaj serbëve për shkak të aktgjykimit në Hagë

Milovan Drecun
Burim: Kosovo Online

Kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme të Kuvendit të Serbisë Millovan Drecun, deklaroi sot se pohime të tilla si ai se „Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të digjen“ në rast të një aktgjykimi dënues ndaj udhëheqësve të ish-UÇK-së në Hagë, duhet të merren maksimalisht seriozisht. Ai tha se situata e sigurisë është shqetësuese, sepse, kur të merret aktgjykimi, shqiptarët do ta drejtojnë zemërimin e tyre ndaj serbëve.

„Kur ai përfaqësues i së ashtuquajturës shoqatë të veteranëve të UÇK-së terroriste kërcënon se do të digjen Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, atëherë kjo është në përputhje me synimet e asaj UÇK-je. Shikojeni vetëm betimin që bënin pjesëtarët e saj, në të cilin flitej për çlirimin e atyre territoreve të supozuara si të pushtuara dhe krijimin e një shteti të bashkuar shqiptar, etnikisht të pastër. Ky ishte qëllimi i UÇK-së. Ata kryen spastrim etnik pa dallim, vranë fëmijë, të moshuar, gra dhe burra, para së gjithash serbë, por pësuan shumë edhe romët, si dhe shqiptarët për të cilët vlerësuan se nuk ishin besnikë ndaj tyre“, shpjegoi Drecun.

Ai vuri në dukje se mbi Dhomat e Specializuara në Hagë po ushtrohet presion shumë i fuqishëm që Thaçi dhe të tjerët të lirohen.

„Ky presion është edhe institucional, nga Prishtina, por ushtrohet edhe përmes asaj shoqate të të ashtuquajturve veteranë“, tha Drecun për RTS-në.

Ai rikujtoi se pikërisht anëtarët e asaj shoqate publikuan dokumentacionin që ishte përdorur në procesin gjyqësor, për çka më pas edhe u gjykuan, si dhe se ata presin që udhëheqësit e ish-UÇK-së të lirohen, pavarësisht dëshmive, provave dhe dokumenteve të shumta.

Drecun tha gjithashtu se ishte befasuar në mënyrë të pakëndshme nga deklarata e Richard Grenellit se „Perëndimi e dëshiron Hashim Thaçin në Kosovë“, me arsyetimin se Kosovës i nevojitet si politikan dhe se kishte qenë konstruktiv në periudhën kur Grenelli ishte angazhuar për herë të parë në Kosovë, gjatë administratës së parë të Donald Trumpit.

„Kjo do të nënkuptonte se drejtësia zbatohet në mënyrë selektive dhe se atyre që tregojnë njëfarë gatishmërie politike apo gatishmëri për bashkëpunim u falen krimet. Kjo është një deklaratë e papranueshme. Nuk e di nëse Grenelli po flet në emrin e tij, me synimin që bashkë me Thaçin të rikthehet edhe ai dhe të marrë ndonjë angazhim“, tha Drecun.

Në këtë kuptim, ai përmendi edhe propozimin e Ramush Haradinajt që Thaçi të bëhet president i Kosovës.

„Ata tani po mobilizojnë opinionin publik, veçanërisht brezin e ri, i cili është mjaftueshëm i orientuar kundër serbëve për shkak të politikës antiserbe të Albin Kurtit. Cili do të jetë atëherë reagimi i tyre dhe nga do të drejtohet zemërimi, nëse merret një aktgjykim dënues, ndërsa unë besoj se ai duhet të jetë i tillë? Zemërimi i tyre nuk do të drejtohet as ndaj shqiptarëve dhe as ndaj Kforit, por ndaj serbëve“, paralajmëroi Drecun.

Në lidhje me këtë, ai theksoi se vendimi i Kforit për ta zvogëluar praninë në urën mbi Ibër dhe pranë Manastirit të Deçanit është i ndërlidhur me këtë situatë, gjë që paraqet një rrezik shtesë për serbët.

Ai deklaroi se Kurti po hakmerret edhe përmes gërmimeve pranë Zubin Potokut dhe armëve që ka prezantuar, duke përgatitur kështu terrenin dhe duke nxitur vazhdimisht ndjenjat antiserbe.

„Është reale të pritet që zemërimi për shkak të aktgjykimit dënues të drejtohet ndaj serbëve dhe se madje do të tentohet një përleshje fizike dhe rrezikimi i jetës së tyre. Ndërkohë, Kfori në atë moment do të ketë prani më të vogël si në urë, ashtu edhe pranë Manastirit të Deçanit“, theksoi Drecun.

I pyetur nëse pret mirëkuptim, duke pasur parasysh deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se do t’u lutet të gjithëve që ura mbi Ibër të mos hapet, ai u përgjigj se NATO-ja, përkatësisht Kfori, i është përmbajtur qëndrimit të vet dhe se optimizimi i dislokimit do të thotë se një pjesë e mandatit të kësaj misie, i cili buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do t’u bartet atyre që, siç thekson ai, sipas kësaj rezolute as nuk guxojnë të ekzistojnë, duke i legalizuar kështu në praktikë.

„Kjo është një lojë e ligë dhe perfide, përmes së cilës të gjitha këto formacione të të ashtuquajturave Forca të Sigurisë së Kosovës, që janë mjeti kryesor për terrorizimin e serbëve, vendosen në kuadër të Rezolutës 1244. Mua më shqetëson situata e sigurisë së serbëve kur të merret aktgjykimi, sepse zemërimi i shqiptarëve do të drejtohet ndaj tyre“, tha Drecun.

Ai rikujtoi se Prishtina ka miratuar ligjin për vlerat e luftës së UÇK-së, në mënyrë që askush të mos mund ta kontestojë karakterin e luftës së kësaj organizate, e cila, siç theksoi, kishte karakter të qartë të një organizate kriminale dhe të dhunshme.

Ai theksoi se Kfori duhet të reagojë dhe të garantojë sigurinë e personave më të rrezikuar, e këta janë serbët, në vend që t’ua bartë kompetencat atyre që i rrahin dhe ushtrojnë terror ndaj serbëve.

„Kudo ku Prishtina ushtron terror ndaj serbëve, shfaqet Policia e Kosovës. Kfori nuk duhet të shqetësohet se si do të reagojnë shqiptarët, por duhet t’i përmbahet mandatit të vet“, nënvizoi Drecun.

Ai theksoi se me këtë Kfori po e shkel Rezolutën 1244.

„Mendoj se do të ishte mirë, siç tha presidenti, që të thirret një seancë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sepse kemi një situatë krejtësisht të re, në të cilën Kfori po e rikonfiguron mandatin e tij pa miratimin e këtij organi, duke ia bartur kompetencat Policisë së Kosovës dhe më pas, sigurisht, edhe FSK-së“, shpjegoi Drecun.

Duke folur për gjykimin e Thaçit, ai tha se Grenelli angazhohet për lirimin e tij, por se veprat për të cilat akuzohet janë aq të rënda, saqë çdo vendim tjetër përveç shqiptimit të dënimit maksimal do të ishte tallje me viktimat.

„Nëse dënohet, duhet parë se çfarë do të shkruhet në aktgjykim dhe nëse e gjithë UÇK-ja do të cilësohet si një organizatë që ka kryer një ndërmarrje të përbashkët kriminale, gjë që do ta rrëzonte narrativën e shqiptarëve për luftën heroike të UÇK-së“, theksoi Drecun.

Ai tha se nuk e di se në ç’mënyrë Thaçi mund ta zëvendësonte Albin Kurtin, duke pasur parasysh se Kurti dhe Vetëvendosja gëzojnë mbështetjen e shqiptarëve, ndërsa Thaçi nuk do t’i përshtatej Kurtit, sepse atij i nevojitet një person i bindur në pushtet.

Ai theksoi se situata politike është e ndërlikuar, sepse PDK-ja e Thaçit është forca e dytë politike dhe, me rikthimin e tij, mund të fuqizohej edhe më shumë.

Megjithatë, siç thotë ai, Kurti do të bëjë sërish përllogaritje me diasporën, kështu që largimi i tij nga pushteti është i vështirë.

„Kurti llogarit në mbështetjen e diasporës, e cila i mbështet qëllimet e UÇK-së, ndërsa ato janë që të mos ketë serbë në Kosovë dhe Metohi. Rikthimi i Thaçit me siguri do t’i sillte PDK-së më shumë vota nga ata që i mbështesin qëllimet e UÇK-së, ndërsa të tillë ka më së shumti në diasporë dhe mes të rinjve“, tha Drecun.

Ai theksoi se shihet qartë se dikush dëshiron që Thaçi të rikthehet në politikë, dikush shumë i fuqishëm, që dëshiron të ketë një figurë politike me të cilën do të bashkëpunonte.

„Megjithatë, Thaçi për njëfarë kohe ka qenë konstruktiv dhe i ka dëgjuar kërkesat e Shteteve të Bashkuara, por kryesisht për ta shmangur Hagën. Nëse do të lirohej, ai do të çlirohej plotësisht nga kjo barrë“, paralajmëroi Drecun.

I pyetur për „topin e zjarrtë“ dhe prerjen e pyjeve, ai tha se prerja e pyjeve është e pranishme prej dekadash dhe se këtë e bëjnë banda të organizuara shqiptarësh të armatosur, të cilat i rrezikojnë banorët përgjatë vijës administrative.

Problemi, shtoi ai, është se Kfori nuk e ka siguruar vijën administrative, ndërsa synimi i tyre është që, në një moment të përshtatshëm, në vijën administrative të stacionojnë pjesëtarë të FSK-së dhe të xhandarmërisë.

„Nëse xhandarmëria vendoset në vijën administrative, atëherë përpjekje të tilla për shkaktimin e qëllimshëm të zjarreve do të jenë shumë më të rrezikshme. Kur në vijën administrative janë të pranishme forca të armatosura, ato gjithmonë mund të kryejnë akte diversioni me qëllim të përhapjes së destabilizimit në Serbinë qendrore“, theksoi Drecun, duke shtuar se kjo ishte një përpjekje për t’i vënë zjarrin pyllit, me qëllim të shkaktimit të trazirave dhe pakënaqësisë ndaj presidentit të Serbisë.