Tomiq: Deklarata e Nasim Haradinaj shqetësuese, Kfor t’i kushtojë vëmendje
Politologu Ivan Tomiq tha se nuk duhet kuptuar kaq lehtë deklarata e komandantit të UÇK së atëhershme Nasim Haradinaj i cili paralajmëroi për eskalim të situatës në rast se vendimet do të jenë me dënim në Hagë dhe se bëri të ditur se për këtë KFOR duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë pasi ky mision pretendon se situata në Kosovë është e përmirësuar, transmeton Sputnjik.
Haradinaj disa ditë më parë tha se beson se do të shkohet në eskalim të situatës në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut nëse Gjykata në Hagë dënon liderët e ish UÇK, duke bërë të ditur se “nëse do të merret vendim i tillë, do të digjet gjithçka“.
Tomiq vëren se deklarata të tilla janë shqetësuese.
“Deklarata e Nasim Haradinajt se në rastin e dënimeve kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve që po gjykohen për krime lufte në Hagë, do të digjen Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, sigurisht nuk është diçka që duhet kuptuar lehtë, veçanërisht duke pasur parasysh historinë e tij dhe faktin që ishte një nga liderët e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Tomiq për Sputnik.
Veçanërisht e shqetëson, sikurse tha ai, që mesazhe të tilla vijnë në momentin kur KFOR po nis pakësimin e pranisë së vet në disa vende të ndjeshme, të cilat përfshijnë urën në veri të Mitrovicës dhe Manastirin e Deçanit, nën spegimin se situata e sigurisë është përmirësuar, ndërsa nga ana tjetër gjëra të tilla po ndodhin dhe deklarata të tilla po dëgjohen.
"Nuk do të paragjykoja se trazirat do të ndodhin vërtet, por mesazhe të tilla duhet që sigurisht të merren seriozisht dhe duhet të jenë pjesë e vlerësimit të sigurisë nga bashkësia ndërkombëtare. Sepse, kur keni njoftime për trazira të mundshme dhe tensione politike që kemi sot në terren, një sërë incidentesh që po ndodhin kundër sërbëve dhe përkundër kësaj njëkohësisht pakësim të pranisë ushtarake ndërkombëtare, atëherë më e pakta që presim është që vetë situata e sigurisë në terren të rishqyrtohet edhe një herë me kujdes që të shmangen pasoja të mëdha. KFOR nuk duhet të jetë i pranishëm sepse situata pretendohet se është e mirë, por pikërisht për të ndalur rreziqet dhe kur situata përkeqësohet sërish", vëren Tomiq.
Ai tregon se kur rreziqet e sigurisë ndryshojnë, ndoshta duhet të ndryshojnë dhe vlerësimet.
"Në këtë kontekst, kjo deklaratë duhet të merret seriozisht dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të rishikojë vetë situatën e sigurisë dhe të reagojë më tej bazuar në të", shtoi Tomiq.
Ky i fundit thotë se nuk duhet të pritet që organet në Prishtinë të reagojnë ndaj kërcënimeve të Nasim Haradinajt.
"Ne fatkeqësisht, nuk mund të presim që ata të bëjnë diçka. Në periudhën e mëparshme, kemi pasur shumë situata në të cilat sërbët u arrestuan thjesht sepse mbanin veshur bluzë me emblemën e Sërbisë, flamurin sërb apo diçka të tillë. Dhe të gjitha ato raste u trajtuan si raste që nxisin urrejtje fetare dhe kombëtare. Ndërsa nga ana tjetër, kemi një deklaratë të tillë që haptazi bën thirrje për dhunë. Në të njëjtën deklaratë, ne nuk shikojmë se ajo u drejtohet direkt sërbëve, por dihet se për kë mendon. Kështu që nga ajo anë, nuk pres asgjë për atë çka shqiptarët nuk i trajtojnë rastet që kanë të bëjnë me shqiptarët njësoj siç i trajtojnë rastet që kanë të bëjnë me ne sërbët... Eventualisht mund të ndodhë që Haradinaj të thirret për bisedë informative dhe kjo nëse ngrihet pak më shumë pluhur mediatik dhe kjo është e gjitha", tha Tomiq.
0 komentet