Hovenier: Përdorimi i forcës për të hyrë në ndërtesat komunale në veri nuk është ide e mirë
Ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefi Hovenier, në lidhje me betimin e kryetarëve të komunave të zgjedhura në veri, që janë planifikuar për nesër, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e konsiderojnë të mirë hyrjen me dhunë në ndërtesat komunale, transmeton Koha.
Këtë Hovenier e tha pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar se duhet të shmangen konfliktet dhe veprimet që çojnë në rritjen e tensioneve në veri.
“SHBA-ja mendon se kjo gjë duhet të përfundojë, duhet të shmangen konfliktet dhe veprimet që çojnë në një rritje të tensioneve në veri. Ne nuk mendojmë që është ide e mirë që të përdoret forca për të hyrë në ndërtesa që mund të mos jenë të qasshme", tha ai.
I pyetur nëse SHBA-ja e mbështet draftin e ri të Statutit të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe të propozuar nga Kurti, Hovenier tha se e mbështesin, duke shtuar se besojnë se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi që urgjentisht të vazhdojë me negociatat dhe më pas me formimin e BKS-së.
“Ne kemi thënë disa herë që duhet të vendosen idetë në tavolinë, ta dimë se çfarë vizioni ka. Ne duam që ky proces të ecë përpara. Shpesh kemi thënë gjëra që i ka thënë edhe kryeministri Kurti. Ne nuk duam që Bashkësia të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ne e kemi shprehur qartë versionin tonë. Por është e rëndësishme që edhe Kosova t’i vë idetë e saja në tavolinë”, tha ai.
komentet