O'Brajan: Më e rëndësishmja është që serbët në Kosovë të jetojnë si qytetarë normalë evropianë
Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Azinë, Xhejms O'Brajan, ka deklaruar sot se dëshiron që të respektohen të gjitha marrëveshjet dhe dispozitat e tyre të arritura gjatë dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe se më e rëndësishmja është që serbët në Kosovë të jetojnë si qytetarë normalë evropianë.
Ai tha për RTS, lidhur me themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, se është e nevojshme të respektohen marrëveshjet, se në këtë kuptim drafti i Statutit duhet të kalojë në Gjykatën Kushtetuese, por edhe të ketë një diskutim më të gjerë që serbët në Kosovë të integrohen si në jug ashtu edhe në veri.
“Dhe BKS është një hap i rëndësishëm, është e rëndësishme të bëhet përparim edhe para se të formohet Bashkësia. Është e rëndësishme që njerëzit të jetojnë normalisht, që martesat dhe fëmijët të regjistrohen dhe ne punojmë për të gjitha në të njëjtën kohë. Obligimet ekzistojnë që nga viti 2015, kur u nënshkruan për herë të parë, nuk mund të premtoj një afat, por më e rëndësishmja është që serbët të jetojnë si qytetarë normalë evropianë”, tha O'Brajan.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë vendi ku zhvillohet biseda mes dy palëve, por se ato janë shumë aktive në terren.
“Është e rëndësishme të mbrohen qytetarët e të gjitha kombësive”, tha ai.
Ai thekson se qëllimi është të diskutohen çështje praktike - si të përshpejtohet qarkullimi i mallrave, prandaj është në interesin e të gjithëve që të hapen vendkalimet dhe lëndët e para nga Serbia qendrore të hyjnë në Kosovë për të vazhduar prodhimin.
"Hapja e vendkalimit është një sukses. Shumë trafik është drejtuar në vendkalim", tha zyrtari amerikan.
O'Brajan e vlerësoi sjelljen e Prishtinës dhe faktin që ajo nuk i koordinon lëvizjet e saj me SHBA si dëshirë të institucioneve të Prishtinës për të treguar fuqinë e tyre, duke bërë më pak për popullin.
“Kjo ka pasoja dhe më e madhja ishte kur shtetet e mëdha të Evropës nuk e lejuan Kosovën të anëtarësohej në Këshillin e Evropës. E gjithë kjo sepse nuk ka koordinim”, tha O'Brajan.
Ai shton se nuk do të insistonte në sanksione ndaj Prishtinës, sepse ato aplikohen kur bëhet fjalë për korrupsionin apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
"Problemet zgjidhen me biseda," beson O'Brajan.
Duke folur për integrimin evropian, ai tha se SHBA-të duan që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të shkojnë drejt Bashkimit Evropian dhe se Plani i Rritjes është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.
komentet