Todiq: Serbët do të jenë të qëndrueshëm në luftën e tyre, kryekomunari shqiptar nuk është i mirëpritur
Ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq, ka deklaruar se serbët e asaj komune nuk pranojnë të përfaqësohen nga dikush që ka fituar 100 vota në zgjedhje dhe se do të vazhdojnë në luftën e tyre deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura.
“Kemi kërkuar që të punësuarve t’u mundësohet hyrja menjëherë në vendet e tyre të punës, që zoti Hetemi, i zgjedhur në zgjedhje jolegjitime, të largohet nga objekti, dhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga objekti i Komunës së Leposaviqit. Përgjigja e Kfor-it është se nuk janë ata që vendosin”, ka thënë Todiq për Pink.
Todiq ka thënë se serbët nuk janë tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe nuk i bojkotojnë zgjedhjet për qejf, por sepse nuk kanë dashur të marrin pjesë në synimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Të gjithë e dimë shumë mirë se serbët i bojkotuan zgjedhjet, sepse kërkesat tona nuk u plotësuan, prandaj serbët u larguan nga institucionet e Kosovës para kësaj. Ne kërkuam nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që ta ndalojnë atë, të tërheqin forcat speciale të Kosovës dhe të formohet BKS. Nuk kemi dashur të marrim pjesë në synimet e Albin Kurtit për të punuar kundër interesave të popullit tonë dhe që atëherë asnjë serb nuk ka punuar në institucionet e Kosovës”, ka shtuar Todiq.
Zgjedhjet u mbajtën më 23 prill në kontejnerë, kujton Todiq, dhe vëren se një numër dukshëm më i vogël i shqiptarëve dolën dhe se Lulzim Hetemi ka fituar vetëm 100 vota.
"Ne nuk dhamë dorëheqjen për një dëshirë, kemi filluar një luftë politike dhe nuk duam të marrim pjesë në persekutimin, represionin dhe keqtrajtimin e popullit tonë të kryer nga qeveria në Prishtinë”, tha Todiq.
Todiq theksoi se situata në Leposaviq aktualisht është e qetë dhe se banorët e Leposaviqit janë mbledhur sot të vendosur për të qëndruar në luftë deri në plotësimin e kërkesave.
“Të premten, Hetemi është futur në objekt nga pjesëtarët e armatosur të njësisë speciale të Policisë së Kosovës duke përdorur forcën, atëherë tre djem u plagosën. Vendasit nuk pajtohen që ne përfaqësohemi nga dikush që ka fituar 100 vota”, tha Todiq.
Sipas tij, Kurti vazhdon represionin, me qëllim të dëbimit të popullit serb.
“Kësaj radhe theksi është te katër komunat veriore, të kujtojmë grabitjen e tokës. Të gjitha vendimet që Kurti i zbaton, i bën me përdorimin e policëve të armatosur. Kjo nuk çon në asgjë. Banorët e komunave tona janë të vendosur për të qëndruar, nuk ka tërheqje. Hetemi nuk është i mirëpritur këtu, ka ardhur në shtëpinë e dikujt tjetër, ka më shumë se 70 orë në ndërtesë. Mbrëmë ai ka deklaruar se do të dalë, por se nuk duhet për shkak të njerëzve të mbledhur. Unë i them se mund të shkojë dhe të mos kthehet më”, tha Todiq.
Ai theksoi se punonjësit duan të kthehen në vendet e tyre të punës dhe që situata të kthehet të enjten e javës së kaluar.
“Ne e dimë se me çfarë po përballemi, as më parë nuk ka qenë e lehtë, por kjo është e papranueshme për të gjithë ne që jetojmë në katër komunat veriore”, ka përfunduar Todiq.
komentet