Zyra për KeM: Sulmet ndaj objekteve të shenjta të KOS-it tregojnë për përkeqësimin e situatës së sigurisë

kancelarija za kim baner
Burim: Kosovo Online

Zyra për Kosovë dhe Metohi, lidhur me thyerjen dhe plaçkitjen e Kishës së Shën Perandorit Konstantin dhe Perandoreshës Jelena në fshatin Bushincë të Kamenicës, njoftoi se ky rast i fundit i sulmit ndaj një objekti të shenjtë të Kishës Ortodokse Serbe tregon për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, ku në shënjestër janë kishat serbe, fëmijët dhe gratë.

„Në festën e madhe ortodokse të Fjetjes së Hyjlindëses së Shenjtë, e cila ka rëndësi dhe simbolikë të jashtëzakonshme, veçanërisht për popullin serb në Kosovë dhe Metohi, u thye dhe u plaçkit Kisha e Shën Perandorit Konstantin dhe Perandoreshës Jelena në fshatin Bushincë të Kamenicës së Kosovës, prej së cilës u morën paratë e kontributeve vullnetare. Edhe ky rast i fundit i sulmit ndaj një objekti të shenjtë të Kishës Ortodokse Serbe tregon për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe Metohi, ku në shënjestër janë kishat serbe, fëmijët dhe gratë“, deklaruan nga Zyra për KeM.

Siç shtuan, nuk kalon asnjë ditë pa u regjistruar ndonjë incident me motive etnike në zonat serbe në Kosovë, ndërsa pothuajse të gjitha këto raste, pa përjashtim, mbeten të pazbardhura dhe autorët nuk marrin dënimin dhe sanksionin e duhur.

„Kjo ngjarje i ka shqetësuar dhe trazuar veçanërisht besimtarët që jetojnë në këtë vendbanim serb në Kamenicën e Kosovës, sepse u tregon se nuk kanë qetësi as në një festë të madhe dhe as në objektet e tyre të shenjta. Sulmi ndaj një objekti të Kishës Ortodokse Serbe pasqyron mungesën e thellë të respektit ndaj dallimeve fetare dhe ndaj së drejtës së popullit serb që t’i vizitojë në paqe dhe bashkim kishat e veta dhe t’i kremtojë festat“, shtuan nga Zyra për KeM.

Ata rikujtuan se kohët e fundit në rrethojën e kishës në Lipjan ishin vendosur flamuj të UÇK-së, ndërsa kishat serbe janë vazhdimisht në shënjestër të hajdutëve dhe vandalëve, pa ndonjë ndëshkim të përshtatshëm për autorët e këtyre veprave.

Kisha e Shën Perandorit Konstantin dhe Perandoreshës Jelena në fshatin Bushincë, pranë Kamenicës, u thye gjatë natës ndërmjet së enjtes dhe së premtes, ndërsa nga kutia e donacioneve u vodhën pak më shumë se 1.100 euro.