Grupet e OJQ nga veriu: Shembjet në liqenin e Radoniqit tentativë për të simuluar procesin juridik
Grupet e organizatave joqeveritare nga veriu i Kosovës, vlerësuan se deklarata e Ndërmarrjes Rajonale të Ujësjellësit të Gjakovës e cila përshkruan në detaje procedurën shumëvjeçare gjyqësore për përcaktimin e të drejtave pronësore që i parapriu heqjes së sotshme të strukturave ilegale në liqenin e Radoniqit, paraqet një tjetër dëshmi e zbatimit selektiv të ligjit dhe standardeve të ndryshme ligjore të cilat zbatojnë institucionet në rastin e sërbëve, pronarëve të objekteve në Ujman.
Organizatat bëjnë të ditur se është veçanërisht shqetësues fakti që në rastin e liqenit të Radoniqit institucionet kompetente respektuan procedurën gjyqësore dhe lejuan pronarët e objekteve të përdorin mjetet ligjore në dispozicion, ndërsa në rastin e Ujmanit, Ndërmarrja “Ibar-Lepenac” dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pronarëve të objekteve u dhanë afat 15 ditor për t’u larguar pa dhënien e vendimit paraprak gjyqësor çka do të ishin të detyruar që të braktisnin objektet.
Theksojnë se sipas kronologjisë së publikuar sot, Ndërmarrrja Rajonale e Ujësjellësit të Gjakovës ka nisur procedura në lidhje me kërkesat pronësore qysh në vitin 2019 dhe se procedura është zhvilluar në Gjykatën Themelore për gati një vit, pas së cilës pronarët e objekteve kanë pasur mundësi të përdorin mjete juridike në procedurën apeluese para të njëjtës gjykatë, si dhe të kërkonin mbrojtje gjyqësore në Gjykatën e Lartë.
“Përkundër kësaj, në rastin e Ujmanit, pronarëve të objekteve, sërbëve në vitin 2026 u është dhënë afat 15 ditor për t’u larguar pa përcaktimin paraprak të së drejtave të tyre dhe detyrimit në procedurë gjyqësore dhe pa u mundësuar mbrojtje juridike dhe përdorimin e tyre në kushte të barabarta”, thuhet në komunikatën e organizatave joqeveritare nga veriu i Kosovës.
Krahasim i tillë, sikurse bëhet e ditur, tregon se institucionet kompetente njohin procedurat që zbatohen gjatë heqjes së objekteve dhe se janë të vetëdijshme për detyrimin për të mbrojtur të drejtat e personave të interesuar përmes procedurës së përshtatshme dhe se pikërisht për këtë arsye trajtimi i ndryshëm në rastin e Ujmanit hap çështje serioze të zbatimit selektiv të ligjit dhe barazisë para tij.
"Deklarata e sotme nga Ndërmarrja Rajonale e Ujësjellësit të Gjakovës, tregon problem tjetër serioz. Sipas kronologjisë së mësipërme, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, prej nëntorit të vitit 2021, mori kërkesë për heqjen e objekteve që u gjetën të ndërtuara ilegalisht në procedurë të mëparshme gjyqësore. Megjithatë, sipas të dhënave nga njoftimi i Ujësjellësit, Ministria këtë kërkesë e shqyrtoi vetëm dje më 18 gusht", thuhet në deklaratën e organizatave joqeveritare.
Ndaj thonë se kjo lloj neglizhence e institucioneve në rastin e Liqenit Radoniqit i cili është në kundërshtim të plotë me urgjencën dhe mungesën e ligjit me të cilin u trajtuan shembjet ilegale në Ujman, ngre dyshimin se arsyeja e vetme përse sot ministrja e Mjedisit urdhëroi shembjet në liqenin e Radoniqit në tentativë për të simuluar procesin juridik dhe të drejtat e barabarta për të gjithë.
"Njoftimi i detajuar dhe kronologjia e paraqitur nga ndërmarrja e menaxhimit të ujërave 'Gjakovë', megjithatë, vërtetojnë pikërisht të kundërtën-në Ujman u zbatua dhunë ligjore nga 'Ibar-Lepenc' dhe Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën asistencën e Policisë Kosovare, ndërsa në dallim nga pronarët e objekteve ilegale në liqenin e Radoniqit, pronarëve të objekteve në Ujman, sërbëve, i’u mohua mbrojtja ligjore dhe e drejta për mjet juridik", shtohet në deklaratën e nënshkruar nga Iniciativa e re Shoqërore, Qendra për Veprime Sociale Afirmative-CASA, Qendra për Përfaqësim të Kulturës Demokratike-ACDC, Aktiv dhe Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial-InTER.
Në afërsi të liqenit të Radoniqit, sot u shembën pesë objekte pasi sikurse u konfirmua, ndodheshin ilegalisht në pronën e Ndërmarrjes Rajonale të Ujësjellësit të Gjakovës. Nga kjo ndërmarrje u njoftua se shembja nisi pasi të gjitha procedurat gjyqësore përfunduan.
Nga ana tjetër, pak më përpara, u shembën mjaft objekte në pronësi të sërbëve në liqenin e Ujmanit, përfshirë Motelin "Jezero", ndonëse procedurat janë në proces. Shembjet vazhduan pavarësisht thirrjes nga BE drejtuar institucioneve të Kosovës për të ndalur shembjet dhe në bashkëpunim me banorët e prekur dhe autoritetet vendore, të gjejnë zgjidhje ligjore dhe të qëndrueshme, veçanërisht duke pasur parasysh se kërkesat pronësore-juridike janë ende subjekt i procedurave gjyqësore.
0 komentet